Shkolla e Magjistraturës, me mbështetjen e projektit CEDI të Ambasadës Britanike në Tiranë, më datë 8 janar 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Standardet kushtetuese e ligjore në gjykimin e kundërvajtjeve administrative. Reflektimi i parimeve në ligjin “Për kundërvajtjet administrative”- ne bis in idem, mosprapaveprueshmëria, barra e provës, dënimi fiks. Kundravajtja administrative, kuptimi, elementët procedura. Kompetenca për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjes. Afatet e shqyrtimit, natyra e urdhrit të ekzekutimit, parashkrimi i ekzekutimit. Kontrolli gjyqësor dhe pushteti i gjykatës për të vendosur vetë për dënimin administrativ”, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Eralda (Methasani) Çani dhe Sokol Ibi
Lehtësues: Marko Boshku
Qëllimi i këtij trajnimi është: Të forcohet njohuria dhe aftësia praktike e pjesëmarrësve në interpretimin dhe zbatimin e ligjit “Për kundërvajtjet administrative”, duke u mbështetur në standardet kushtetuese, ndërkombëtare dhe praktikat gjyqësore përkatëse.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Kuptimi i kundërvajtjeve administrative. Parime themelore ndërkombëtare për kundërvajtjen administrative: rregullime të Këshilli i Evropës dhe Bashkimit Evropian. Diskutim i vendimeve të GJEDNJsë dhe GJEDsë;
- Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kundërvajtjet administrative;
- Kuptimi i kundërvajtjeve administrative në legjislacionin tone. Vlerësime të përgjithshme mbi ligjin 10279/2010. Elementë dallues të kundërvajtjes administrative nga veprat penale;
- Kontrolli gjyqësor dhe pushteti i gjykatës për të vendosur vetë për dënimin administrativ;
- Diskutime mbi aspekte kryesore lidhur me kundërvajtjet administrative si: gjykimi i dyfishtë, subjektet, proporcionaliteti i masave, dënimi fiks, barra e provës në procesin administrativ dhe gjyqësor, zbatimi i ligjit të kohës, procesi i rregullt ligjor, natyra e urdhrit të ekzekutimit, parashkrimi i ekzekutimit.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë shteti të Republikës së Shqipërisë.




Shkolla e Magjistraturës