Shkolla e Magjistraturës, me mbështetjen e projektit CEDI të Ambasadës Britanike në Tiranë, më datë 9 janar 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Kufijtë e dallimit ndërmjet kundërvajtjes administrative dhe veprës penale. Problematika ligjore dhe jurisprudenciale”, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Sokol Ibi dhe Oltjona Goxha
Lehtësues: Florian Boriçi
Qëllimi i këtij trajnimi është: thellimi dhe unifikimi i njohurive profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve dhe aktorëve të tjerë të drejtësisë mbi kufijtë e dallimit ndërmjet kundërvajtjes administrative dhe veprës penale, përmes analizës së kuadrit ligjor dhe problematikave jurisprudenciale, me synim sigurimin e një kualifikimi të saktë juridik të fakteve, shmangien e mbivendosjeve kompetenciale dhe procedurale, si dhe garantimin e zbatimit të njëtrajtshëm dhe të drejtë të ligjit.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Përkufizimi dhe elementët përbërës të kundravajtjes administrative;
- Evidentimi i kuadrit ligjor në të cilin ndërthuret përgjegjësia penale dhe ajo administrative e personit;
- Parimi "Ne bis in idem" në procesin gjyqësor penal dhe ndikimi i tij në procedurat administrative e gjyqësore;
- Kriteret që verifikohen për të dalluar nëse një sanksion i parashikuar në ligj të konsiderohet ose jo penal sipas GJEDNJ-së;
- Jurisprudenca e Gjykatës së Lartë mbi kufirin ndërmjet kundërvajtjes administrative dhe veprave penale;
- Jurisprudenca e GJEDNJ-së mbi kufirin administrativ-penal;
- Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED-së).
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.




Shkolla e Magjistraturës