Sot, më 5 tetor 2026, Shkolla e Magjistraturës zhvilloi ceremoninë e hapjes së Programit të Formimit Fillestar për vitin akademik 2026-2027, në prani të përfaqësuesve të institucioneve më të larta të sistemit të drejtësisë, përfaqësuesve të partnerëve ndërkombëtarë, pedagogëve dhe kandidatëve për magjistratë, avokatë shteti dhe ndihmës ligjorë.
Ceremonia u çel nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, z. Arben Rakipi, ndërsa aktivitetin e përshëndetën edhe Presidenti i Republikës, shkëlqesia e tij, z. Bajram Begaj, Kryetari i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, z. Sokol Sadushi, Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, znj. Mirela Bogdani, Ministri i Drejtësisë, z. Toni Gogu, zëvendësprokurori i Prokurorisë së Përgjithshme z. Arqilea Koça, Ambasadorja e Bashkimit Evropian, znj. Sofia Moreira de Sousa, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Michel Tarran, si dhe Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, znj. Giulia Re.
Një moment i veçantë i ceremonisë ishte betimi i kandidatëve për magjistratë, avokat shteti dhe ndihmës ligjor, të cilët nisin rrugëtimin e tyre profesional në shërbim të drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës.
Në kuadër të aktivitetit u shfaq edhe filmi dokumentar “Magjistratura në 3D”, i cili pasqyron zhvillimin dhe rolin e Shkollës së Magjistraturës në formimin e brezave të rinj të profesionistëve të drejtësisë.
Ceremonia u mbyll me fotografinë e përbashkët të pjesëmarrësve, duke shënuar nisjen zyrtare të një viti të ri akademik, të fokusuar në përgatitjen cilësore të magjistratëve të ardhshëm dhe në forcimin e mëtejshëm të institucioneve të drejtësisë.

Shkolla e Magjistraturës











