NJOFTIM PËR PËRFUNDIMIN E FAZËS SË DYTË TË PROVIMIT TË PRANIMIT

NJOFTIM

PËR PËRFUNDIMIN E FAZËS SË DYTË TË PROVIMIT TË PRANIMIT

 

Shkolla e Magjistraturës shpalli dje, më datë 8 maj 2024, rezultatet e vlerësimit të fazës së dytë të provimit të pranimit dhe renditjen e konkurrentëve sipas këtyre rezultateve.

 

Mbi procesin e vlerësimit

Menjëherë pas përfundimit të provimit të fazës së dytë, dita e dytë, në datë 29 prill 2024, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës caktoi komisionin e vlerësimit të provimit për këtë fazë. Komisioni përbëhej nga 7 (shtatë) anëtarë, 3 (tre) anëtarë pedagogë të brendshëm në Shkollën e Magjistraturës: z. Dashamir Kore, znj. Aida Bushati dhe z. Amarildo Laçi, dhe 4 (katër) anëtarë, pedagogë të jashtëm në Shkollën e Magjistraturës, znj. Albana Boksi, anëtare e Gjykatës së Lartë, znj. Margarita Buhali, anëtare e Gjykatës së Lartë, znj. Altina Nasufi, gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit dhe z. Arqilea Koça, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Komisioni i vlerësimit u mblodh në Shkollë më datë 30 prill 2024 për të hartuar çelësin e përgjigjeve për çdo fushë dhe rast praktik mbi të cilin do të vlerësoheshin kandidatët në dy ditët e provimit. Çelësi i tezave u shpall menjëherë publikisht në mjediset e Shkollës së Magjistraturës dhe online, në faqen zyrtare të Shkollës.

Procesi i korrigjimit të provimit u zhvillua i pandërprerë prej datës 1 maj deri në datën 7 maj 2024, në mjediset e Shkollës së Magjistraturës, sipas parashikimeve të Rregullores së Brendshme të Shkollës lidhur me rregullat e procesit të korrigjimit.

 

Shpallja e rezultateve

Shkolla e Magjistraturës, në datë 7 maj 2024, njoftoi publikisht për zhvillimin e procesit të çsekretimit më 8 maj 2024, ora 17.00. Po atë ditë, në mjediset e Shkollës dhe në faqen zyrtare të Shkollës dolën paraprakisht rezultatet e provimit të fazës së dytë, sipas numrave të sekretimit.

Në shpalljen e rezultateve ishin të pranishëm pjesa më e madhe e konkurrentëve. Ky proces u realizua edhe në kohë reale, në adresën e njoftuar nga Shkolla, në mënyrë që kushdo i interesuar të njihej me procedurën dhe rezultatet e vlerësimit. Në përfundim të këtij procesi, Shkolla publikoi një listë përfundimtare ku u renditën konkurrentët sipas pikëve të marra prej tyre në fazën e dytë të provimit të pranimit.

 

Mbi rezultatet e vlerësimit

Nga 129 (njëqind e njëzet e nëntë) konkurrentë që morën pjesë në fazën e dytë të provimit të pranimit, 61 (gjashtëdhjetë e një) prej tyre arritën të vlerësohen me më shumë se 60% (gjashtëdhjetë për qind) të pikëve maksimale të mundshme për të dy ditët (katërqind pikë). Pra, 47% (dyzet e shtatë për qind) e konkurrentëve arritën të kalonin pragun minimal të vendosur nga Rregullorja. Konkurrentët e renditur më lart, përkatësisht 45 (dyzet e pesë) konkurrentët e parë, do të vijojnë në fazën e fundit të konkurrimit, për profilin e gjyqtarit dhe prokurorit. Njëkohësisht, 15 (pesëmbëdhjetë) konkurrentët e renditur menjëherë pas tyre e deri në konkurrentin e fundit që ka arritur të marrë mbi 200 (dyqind) pikë në këtë provim (50% (pesëdhjetë për qind) e pikëve totale të fazës së dytë), varësisht nga interesi i tyre, do të vijojnë të konkurrojnë për pozicionin e ndihmësit ligjor.

Rezultatet e vlerësimit të fazës së dytë të provimit të pranimit, krahasuar me rezultatet e viteve të mëparshme, tregojnë për një numër më të lartë të konkurrentëve që arrijnë të kalojnë pragun prej 60% (gjashtëdhjetë për qind) të totalit të vlerësimit dhe një numër jo i vogël prej tyre arrijnë të kalojnë 70% (shtatëdhjetë për qind) të totalit të vlerësimit (rreth 24% (njëzet e katër për qind) e konkurrentëve). 

Një tregues i rëndësishëm janë rezultatet e dala nga korrigjimi i rasteve praktike të testuara në ditën e dytë të provimit të pranimit. 83% (tetëdhjetë e tre për qind) e konkurrentëve kanë arritur të vlerësohen me më shumë se 60% (gjashtëdhjetë për qind) të vlerësimit total për këtë komponent vlerësimi.

Ky përpunim fillestar i të dhënave të sipërpërmendura është tregues i përgatitjes serioze të konkurrentëve që kanë marrë pjesë në konkurrim dhe i përshtatshmërisë së testimit në këtë fazë. Sjellim në vëmendje se qëllimi kryesor i ndryshimeve të bëra në muajin janar 2024 lidhur me procesin e testimit, ishte përmirësimi i metodologjisë së hartimit të tezës së provimit në funksion të vlerësimit të aftësive argumentuese dhe analitike të kandidatëve.

 

Testimi i tretë- testi i shëndetit mendor dhe psikologjik

Testi i shëndetit mendor dhe psikologjik do të zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara në Rregulloren e Brendshme të Shkollës së Magjistraturës dhe ecuria e tij do të jetë pjesë e një njoftimi tjetër nga ana e Shkollës.